Aksidentet e pas festës/ Disa të lënduar brenda pak ditëve, tre persona humbën jetën dje…

Pavarësisht thirrjeve të policisë në prag të festës së ndërrimit të viteve, për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangej konsumi i alkoolit, javën e parë të janarit në rrugët e vendit ndodhën disa aksidente të rënda.

5 persona humbën jetën dhe 10 të tjerë janë plagosur. Të enjten gjatë orëve të mesditës një automjet përplasi një të moshuar që po lëvizte me biçikletë në qytetin e Vlorës.

Advertisement

70 vjeçari u dërgua menjëherë në spitalin e Vlorës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin një 30 vjecar, u shoqërua në polici deri në zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.

Pak minuta më vonë ndodhi një tjetër aksident, këtë radhë në Maminas të Durrësit.

Një makinë përplasi një motor ku ndodhej një burrë dhe një i mitur, dy të plagosurit u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Por aksidenti më i rëndi është ai që ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në rrugën e Arbrit ku u përfshinë disa automjete dhe bilanci ishte tragjik, tre të vdekur dhe tre të plagosur.

Ndërkohë pak ditë më parë dy aksidente u shënuan në Divjakë në distancë kohore prej vetëm 30 minutash, ku ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra dy persona.