Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj preçizoi se kryesocialisti Rama çensuroi gjatë edicionit informativ qendror të orës 15:00 në një prej mediave kombëtare transmetimin e inaugurimit të ndërtesës së re të korpusit kryesor të Universitetit të Kamzës, një investim ky prej 300 milion lekësh. “U çensurua tërësisht fjala dhe pjesëmarrja e Kryeministrit Berisha në aktivitetin e firmosjes së një marrëveshjeje historike midis Universitetit të Tiranës dhe ETS Global”, tha zëdhënësja e PD-së. Ajo theksoi se Rama ndaloi tërësisht imazhin e takimit të Kryetarit të Partisë Demokratike në strukturat e saj në Elbasan. “Partia Demokratike shpreh keqardhjen e saj për keqpërdorimin dhe keqshfrytëzimin e medias kombëtare nga kreu i Partisë Socialiste dhe i thotë z. Rama se praktika e çensurës është akti më i madh i dëshpërimit që dhunon rëndë parimet më themelore të mediave në një shoqëri të lirë”, nënvizoi zëdhënësja Mustafaraj. Partia Demokratike i bën thirrje këtij televizioni kombëtar t’i përmbahet me rigorozitet ligjit dhe të mos ndikohet nga urdhërat politikë, por të respektojë standardet e mediave të lira dhe të pavarura. Partia Demokratike bën me dije se nuk synon të ndërhyjë në politikat redaksionale, por shpreh bindjen se çensurimi i lajmeve dhe informacioneve, dëmton rëndë vetëm ata që i praktikojnë këto lloj çensurash.


