Vlorë | Arrestohen tre vrasësit e oficerit Roland Likaj

Saturday, January 17, 2026

Operacioni i quajtur “Shtegtari” i ndërmarrë nga efektivat e policisë vunë nën pranga Jetnor Nakolecin, 25 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë; Saleo Stojani, 18 vjeç, lindur e banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, i arrestuar me datë 15 Dhjetor 2010 për një sërë vjedhjesh të kryera në bashkëpunim në Qarkun e Korçës dhe aktualisht vuan dënimin prej 20 muajsh burgim për këto vepra penale; si dhe shtetasin me iniciale E.Z., 17 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Korçë. Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në datë 18 Tetor 2010, rreth orës 02:30, në lagjen ” 1 Maji”, Vlorë, kanë vrarë me armë zjarri pistoletë, në krye të detyrës, Nënkomisarin e policisë Roland Likaj. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se zbardhja dhe dokumentimi i plotë e kësaj ngjarje u bë i mundur në sajë të një pune intensive informative-gjurmuese dhe hetimore të Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Korçë, Vlorë dhe Tiranë. Të ndaluarit do të hetohen për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtjes pa leje” dhe materialet lidhur me ta i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Oficeri Roland Likaj është gjetur i vdekur në lagjen “Çole” të qytetit të Vlorës ndërsa është vrarë gjatë një aksioni në ndjekje të një të dyshuari.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -