Është një zvogëlim i ditës që i shtohet atij të ndodhur gjatë tërmetit në Kili vitin e kaluar, ku sërish si pasojë e rritjes së shpejtësisë së rrotullimit të tokës, dita u zvogëlua me 1. 26 të miliontat e sekondës. Po ashtu tërmeti i Japonisë ka bërë që boshti i tokës të lëvizë me 10 cm, ndërsa sipas ekspertit të Shërbimit Gjeologjik Amerikan, Pol Erle, Japonia u zhvendos me 2.5 metra. Erle kishte deklaruar të Premten se “tërmeti në Japoni, shkaktoi një çarje të tokës në një thellësi prej 300 kilometrash në Oqeanin Paqësor”. Sipas tij ky tërmet u shkaktua nga i njëjti fenomen që shkaktoi edhe cunamin vrasës në Sumatra në vitin 2004. Në dalje të brigjeve të Japonisë, pllaka tektonike e Oqeanit Paqësor zhytet me pothuaj 83 mm në vit poshtë pllakës tektonike të Amerikës Veriore. Për shkak të fërkimit mes tyre, aty ku takohen pllakat krijohet një çlirim i madh energjie që shkakton edhe lëkundjet sizmike.