Ky monitorim me kamera i trafikut do të thotë që sistemi i ri do të përpunojë në kohë reale të dhënat e marra nga policia rrugore në terren si dhe për vendodhjen e tyre. Gjithashtu sistemi i ri i kamerave do të bëjë të mundur vënien e gjobave për të gjithë shkelësit e kodit rrugor në mënyrë automatike. Bashkë me gjobën qytetari i cili ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor do të ketë edhe fotografinë me datën dhe orën që vërteton shkeljen. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha gjatë fjalës së tij e cilësoi projektin e monitorimit të Tiranës me kamera si një hap gjigant për sigurinë në rrugë. Zoti Basha tha gjithashtu se me këtë sistem të ri të monitorimit të trafikut me kamera të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit. “Ky sistem, tha Basha shumëfishon kapacitetet e policisë rrugore për të patrulluar nëpër autostrada”. Ai e konsideroi projektin si një projekt me shumë risi për Tiranën. Ky projekt i ri i prezantuar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha është bazuar mbi lajtmotivin “Për një Tiranë europiane”.