Tiranë | Prokuroria ngre grupin hetimor: përgjegjësit do të vihen para ligjit

 Ndër të tjera thuhet se një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendin e ngjarjes, në mjediset pranë kryeministrisë, me qëllim vëzhgimin e vendit, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo prove materiale që gjendet aty. Krahas këtyre veprimeve është kryer marrja e librave të gadishmërisë dhe plani i masave pranë Gardës së Republikës si dhe kamerat e instaluara nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes. Një pjesë e grupit hetimor është vendosur në Spitalin Ushtarak dhe ka realizuar kqyrjen e viktimave, kqyrjen e veshjeve të viktimave dhe sekuestrimin e tyre me cilësinë e provës materiale, kqyrjen dhe pyetjen e të gjithë personave të plagosur, qofshin këta civilë apo efektiv të policisë. Ndërkohë janë marrë vendimet për kryerjen e të gjitha ekspertimeve kriminalistike të nevojshme. Pjesa tjetër e grupit hetimor është vendosur në komisariatet e Policisë së Tiranës, për marrjen në pyetje të të gjithë personave të shoqëruar në komisariate nga Policia e Shtetit. Në vijim të deklaratës, Prokuroria Shqiptare garanton se është e impenjuar për një hetim objektiv, të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të ditës së djeshme me qëllim individualizimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, jashtë ndikimit të çdo faktori politik.

Advertisement