Tiranë – KQZ nis procesin për djegien e fletëve të votimit

Kjo do të thotë se listat e zgjedhësve në bazë të ligjit të arkivit të shtetit nuk duhet të hapen për 25 vjet nga momenti i arkivimit. Mbledhja në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u shoqërua me debate të ashpra mes z.Ristani dhe znj. Subashi. Në fjalën e saj nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi është shprehur kundër shqyrtimit të këtij akti pasi sipas saj është i pavlefshëm pasi është në kundërshtim me kodin zgjedhor. Sipas saj ky akt nuk mund të shqyrtohet pasi ajo si nënkryetare e KQZ-së nuk e ka firmosur duke shtuar se ky akt hyn në fuqi vetëm pas firmës së nënkryetarit. “Ky akt është i pavlefshëm për t`u marrë në konsideratë dhe për t`u vënë në rendin e ditës, dhe është në kundërshtim të hapur me kodin zgjedhor” theksoi Subashi duke shtuar se ky është një akt nul që nuk prodhon efekte. Gjithashtu Subashi ka kritikuar urdhërin e kryetarit Arben Ristani, duke e vlerësuar atë si të qëllimshëm për të larguar komisionerët e opozitës. “Akti i 29 Dhjetorit shmangu listat. Shmangia ka pasur si qëllim largimin e komisionerëve të opozitës. Gjithashtu, ky akt nuk mund të shqyrtohet në mbledhjen e KQZ-së, pasi nuk është në kompetencën e tij”, ka theksuar Subashi. Ndërsa Ristani ka fajësuar vetë komisionerët e opozitës për mungesën e tyre në diskutimin e 29 Dhjetorit që sipas tij nëse përfaqësuesit e PS-së nuk do të ishin larguar nga mbledhja atëherë KQZ-ja do të gjente konsensus dhe do ta kishte votuar atë unanimisht. Më herët Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi komisionin i cili do të merret me procesin e ndarjes së fletëve të votimit dhe djegien e tyre. Ky komision i cili përbëhet nga sekretarja e përgjithshme e KQZ-së, drejtoresha e logjistikës, shefja e protokollit dhe një përfaqësues i arkivës së shtetit, në magazinat e rezervave të shtetit, mori në dorëzim materialet dhe nisi ndarjen e tyre. Komisioni i ngritur për këtë çështje ndau materialet për në arkivën e shtetit në qese të bardha ndërsa në qese të zeza futi fletët e votimit të cilat do të digjen. Kutitë e para që u hapën ishin ato të qarkut të Beratit. Në ditët në vijim KQZ-ja do të vijojë me djegien e fletëve të votimit, proces i cili do të bëhet në zonën e Sharrës.

Advertisement