Një përrallë që zgjati 7 vjet: Chiara Ferragni zbulon anën e errët të historisë së dashurisë me Fedez.

Tuesday, November 24, 2026

Pas dy vitesh heshtjeje, sipërmarrësja italiane tregon anën e panjohur të martesës me reperin, dyshimet për tradhti, marrëdhënien me Angelica Montini dhe arsyet që çuan në fundin e historisë së tyre.

Chiara Ferragni ka vendosur të flasë hapur për periudhën më të vështirë të jetës së saj dhe, këtë herë, në qendër të rrëfimit është marrëdhënia me ish-bashkëshortin, Fedez. Në dokumentarin e ri “Chiara”, i publikuar në Netflix, sipërmarrësja rikthehet te historia e tyre e dashurisë, e cila për vite me radhë u paraqit si një përrallë moderne për miliona ndjekës, por që, sipas saj, fshihte xhelozi, konkurrencë, mungesë respekti dhe tradhti.

“Federico ishte shumë xheloz. Nëse mendonte se po flisja me një burrë tjetër, ndihej shumë keq. Unë e interpretoja si një dashuri të madhe dhe pasionante, të cilën ai nuk dinte ta përjetonte ndryshe me mua. Por ishte diçka jashtëzakonisht toksike”, rrëfen Ferragni.

Ajo tregon se shpesh ndihej e detyruar të zvogëlonte veten, madje edhe në aspektin profesional, për të mos krijuar tensione me partnerin.

“Nuk i tregoja kurrë Federico-s të ardhurat e mia të vërteta. I paraqisja më të ulëta, sepse e ndieja shumë konkurrues. Edhe në këtë aspekt duhej të bëhesha më e vogël për të,” shprehet ajo.

Si nisi historia e dashurisë mes tyre?

Historia e Chiara Ferragni-t dhe Fedez nisi në vitin 2016, kur të dy ndodheshin në kulmin e karrierës së tyre. Ajo ishte një nga figurat më të suksesshme të modës në rrjetet sociale, ndërsa ai ishte një reper i njohur, pjesë e jurisë së “X Factor” dhe bashkëpunëtor artistik i J-Ax.

Një këngë e Fedez, “Vorrei ma non posto”, përmendte edhe qenin e Chiara-s, Matilda-n, duke u bërë shkëndija e parë e afrimit mes tyre. Pas disa mesazheve në rrjetet sociale, ata u takuan për herë të parë në një hotel luksoz në Milano dhe lidhja nisi të merrte formë.

“Pas një muaji që po dilnim bashkë, më thoshte: ‘Dua të jesh gruaja e jetës sime, dua të martohem me ty dhe të kem fëmijë me ty’”, kujton Chiara.

Megjithatë, ajo pranon se nuk kishte qenë gjithmonë e bindur se marrëdhënia do të funksiononte. Madje, familja e saj nuk e kishte miratuar plotësisht lidhjen, ndërsa ekipi profesional shqetësohej se ekspozimi i madh publik mund të dëmtonte imazhin e saj në industrinë e modës.

Pavarësisht dyshimeve, ata u kthyen në një nga çiftet më të ndjekura në Itali. Të njohur si “Ferragnez”, ndanë me miliona njerëz pushimet, jetën familjare, momentet romantike dhe çdo hap të marrëdhënies së tyre.

Në vitin 2017, Fedez i propozoi për martesë gjatë një koncerti në Arenën e Veronës, në ditëlindjen e Chiara-s. Një vit më vonë, ata u martuan në Siçili, në një ceremoni madhështore, ndërsa familja u zgjerua me ardhjen në jetë të dy fëmijëve, Leone dhe Vittoria.

Puthja me Rosa Chemical dhe tradhtitë që tronditën martesën

Sipas rrëfimit të Chiara-s, problemet në marrëdhënien e tyre nuk u shfaqën papritur. Një nga momentet që, në retrospektivë, ajo e konsideron veçanërisht domethënës ishte Festivali i Sanremo-s në vitin 2023, ku ajo ishte bashkëprezantuese dhe Fedez shkaktoi polemika pas puthjes me Rosa Chemical në skenë.

Ferragni thotë se para festivalit i kishte kërkuar bashkëshortit të mos krijonte situata që mund të tërhiqnin vëmendjen mediatike dhe të mbështeste atë gjatë prezantimit.

“Problemi nuk ishte se më kishte marrë vëmendjen. Problemi ishte se e gjithë Italia pa një grua që nuk respektohej nga bashkëshorti i saj”, shpjegon ajo.

Sipas saj, puthja ishte planifikuar paraprakisht dhe këtë e kishte zbuluar vetëm më vonë, pasi kishte lexuar librin e Fedez. Për këtë, thotë se ai nuk i kishte kërkuar kurrë falje.

Në të njëjtën periudhë, Chiara po promovonte mesazhin “Pensati libera” (Mendo veten të lirë), por pranon se në jetën e saj private nuk ndihej aspak e tillë.

“Flisja për fuqizimin e grave, ndërkohë që isha në duart e dy burrave, bashkëshortit Fedez dhe menaxherit Fabio Maria Damato. Ndihesha si një mashtruese. Si mund t’u thoja grave të mos pranonin marrëdhënie toksike, kur unë vetë, pavarësisht pozitës sime të privilegjuar, ndodhesha në një të tillë?”, rrëfen ajo.

Por pjesa më e dhimbshme e historisë lidhet me tradhtitë e dyshuara të reperit, veçanërisht me emrin e Angelica Montini-t.

Chiara tregon se e kishte takuar Angelica-n në Miami, rreth një muaj para propozimit për martesë. Në atë kohë, Fedez kishte komentuar se ajo ishte tërheqëse, por Chiara nuk i kishte kushtuar rëndësi situatës.

Dyshimet e saj u shtuan drejt fundit të marrëdhënies, kur në telefonin e bashkëshortit gjeti pamje të bisedave me një grua tjetër. Në njërën prej tyre, gruaja shprehej se nuk kishte pasur guximin të bënte diçka.

“E nxora vetë Fedez-in nga shtëpia, sepse gjeta pamje të bisedave ku një grua thoshte se nuk kishte mundur të bënte diçka”, tregon ajo.

Chiara e interpretoi këtë si një referencë ndaj një marrëdhënieje intime, ndërsa Fedez pretendonte se bëhej fjalë për konsumimin e një cigareje me kanabis. Sipas saj, ai e akuzonte se nuk kishte besim tek ai dhe se për këtë arsye nuk mund të vazhdonte marrëdhënien.

Në fund, sipërmarrësja thotë se, pavarësisht se ajo e kishte larguar nga shtëpia, ishte Fedez ai që përfundimisht i dha fund lidhjes.

“Më tha se nuk dija më as të isha nënë”

Përveç tradhtive dhe xhelozisë, Chiara përshkruan edhe një marrëdhënie ku ndihej gjithnjë e më e vetmuar. Ajo kujton pushimet gjatë të cilave Fedez qëndronte i mbyllur në dhomë, duke kaluar kohën në telefon, ndërsa ajo dëshironte të kalonte më shumë kohë me familjen dhe t’u tregonte fëmijëve botën.

Një nga deklaratat më të rënda të dokumentarit lidhet me një debat mes tyre, gjatë të cilit, sipas Chiara-s, reperi i kishte thënë:

“Hesht, sepse tani nuk di më as të jesh nënë”.

Ajo e përshkruan këtë fjali si një nga momentet që e kanë lënduar më shumë, veçanërisht duke pasur parasysh periudhën e vështirë që po kalonte.

Kriza e çiftit u përkeqësua edhe gjatë periudhës së njohur si “Pandoro Gate”, kur Chiara u përball me një skandal të madh publik dhe hetime lidhur me një fushatë bamirësie. Në atë moment, ajo thotë se kishte kuptuar se Fedez nuk do të ishte pranë saj në mënyrën që kishte shpresuar.

Jeta pas ndarjes

Pas përfundimit të martesës, Chiara përjetoi një periudhë të rëndë emocionalisht. Ajo tregon se kishte ditë kur nuk arrinte as të ngrihej nga shtrati dhe nuk kishte më dëshirë të luftonte për asgjë.

“Çdo ditë ishte më e keqe se ajo para saj. Nuk kisha përjetuar kurrë ndjesinë se nuk doja të luftoja më për asgjë. Nuk arrija të ngrihesha nga shtrati”, rrëfen ajo.

Gjatë kësaj periudhe, shqetësimi i saj kryesor ishte të mbronte dy fëmijët, Leone dhe Vittoria, nga pasojat emocionale të ndarjes.

Pas dy vitesh heshtjeje, dokumentari “Chiara” sjell versionin e saj për një histori që për një kohë të gjatë u shfaq si një përrallë moderne, por që, pas dyerve të mbyllura, sipas rrëfimit të saj, ishte shumë më e ndërlikuar dhe e dhimbshme.

Sourceanabel
RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM