Deputetja Ermonela Felaj tha sot për mediat se në mënyrë abuzive, Ruli ka dhënë koncesionin e HEC-eve në pellgun ujor Bënçë – Progonat në rrethin e Tepelenës. Ajo kërkoi që Genc Ruli që të hedhë dritë mbi këtë çështje, përpara se Partia Socialiste të bëjë publikimin e dokumenteve që lidhen me këtë aferë. “Shpresojmë që Genc Ruli të ketë mësuar nga eksperienca e tij gjatë vitit 2010 dhe të gjejë guximin të shpjegojë publikisht të vërtetën e këtij koncesioni. Në të kundërt Partia Socialiste do të kryejë detyrën e saj kundrejt publikut, duke e zbardhur ajo të vërtetën e koncesionit për ndërtimin e HEC-eve në pellgun Bënçë – Progonat”, tha Felaj. Ajo kërkoi sqarime nga ministrit për emrin e firmës që ka marrë të drejtën për të ndërtuar hidrocentralet në pellgun ujor Bënçë-Progonat. Gjithashtu ajo ka kërkuar sqarime dhe se përse vetë Ruli ka refuzuar zbatimin e vendimeve të këtyre institucioneve. “Zoti Ministër cila është arsyeja që janë hapur e prishur disa herë garat për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve në këtë pellg ujor? Zoti Ministër cila është arsyeja që dy institucione qeveritare, Agjencia e Prokurimit Publik dhe Avokati i Prokurimeve i kanë gjykuar tërësisht në kundërshtim me ligjin procedurat e ndjekura nga enti prokurues në varësinë tuaj?”, tha Felaj duke kërkuar sqarime për këtë çështje. Ajo u shpreh se PS-ja është në pritje të përgjigjes së ministrit, para se të vijohet me publikimin e fakteve. “Përpara se t’ia pasurojmë CV Genc Rulit me këtë aferë korruptive të radhës, dëshirojmë t’ i japim ministrit Ruli mundësinë t’u përgjigjet vetë disa pyetjeve në lidhje me koncesionin për ndërtimin e HEC-eve në pellgun Bënçë – Progonat”, tha Felaj.