Një muzikal për Amy Winehouse? Zbulohen detaje nga projekti i ri në Londër.

Monday, October 26, 2026

Një muzikal kushtuar jetës së këngëtares së ndjerë Amy Winehouse mund të bëhet së shpejti pjesë e skenës teatrale londineze. Sipas raportimeve të revistës Variety, projekti është ende në zhvillim, ndërsa thuhet se ka nisur edhe procesi i përzgjedhjes së aktorëve.

Në këtë nismë raportohet se është përfshirë Catherine Schreiber, producente me përvojë në Broadway, e njohur për pjesëmarrjen në produksione të suksesshme si Cabaret, Rent dhe adaptimin teatror të High School Musical.

Një burim pranë projektit e ka cilësuar zhvillimin e muzikalit si “sekretin më pak të ruajtur në botën e teatrit”, duke shtuar interesin rreth një produksioni që synon të sjellë në skenë historinë e një prej zërave më të veçantë të muzikës moderne.

Babai i këngëtares mund të jetë pjesë e projektit

Sipas raportimeve, në projekt është i përfshirë edhe Mitch Winehouse, babai i këngëtares, i cili administron pasurinë e saj. Pjesëmarrja e tij mund të nënkuptojë se muzikalit do t’i bashkohen disa prej këngëve më të njohura të artistes.

Amy Winehouse ndërroi jetë në vitin 2011, në moshën 27-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme muzikore. Megjithëse publikoi vetëm dy albume në studio, ato përmbajnë këngë që u kthyen në hite ndërkombëtare, mes tyre Back to Black, Rehab dhe Valerie.

Stili i saj i veçantë, zëri karakteristik dhe ndërthurja e soul-it me jazz-in dhe elemente të muzikës pop e shndërruan Winehouse në një nga artistet më të spikatura të brezit të saj.

Për momentin, nuk është bërë e ditur nëse produksioni do të ndjekë drejtpërdrejt jetën e këngëtares, në stilin e muzikalit biografik kushtuar Tina Turner, apo nëse do të përdorë këngët e saj për të shoqëruar një histori origjinale, sipas modelit të Mamma Mia!, muzikalit të ndërtuar mbi hitet e grupit ABBA.

Ideja për të sjellë jetën e Amy Winehouse në skenën e teatrit nuk është e re. Babai i saj raportohet se e kishte shqyrtuar këtë mundësi që në vitin 2017, por deri më tani projekti nuk kishte marrë formë konkrete.

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM