Tiranë – Xhacka: djegia e fletëve nuk e mbulon dot krimin elektoral

Në një konferencë për shtyp deputetja e PS-së Olta Xhaçka duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Berisha se kutia i takon vitit të shkuar theksoi se kutia e mbyllur është baza e pushtetit të tij të vjedhur. “Ky vjedhës votash ta harrojë se opozita do të heqë dorë nga transparenca e kutive të 28 Qershorit. Djegia e fletëve nuk e mbulon dot krimin elektoral që herët a vonë ne do ta bëjmë transparencën duke nxjerrë para syve të popullit manipulimin e materialeve zgjedhore. Sa për Edi Ramën, Sali Berisha bën mirë të kërkojë falje për përrallën e gënjeshtrës së 20 përqindshit që ua këndoi shqiptarëve 3 muaj paturpësisht me gjithë fuqinë e altoparlantëve të pushtetit të vjedhur” theksoi Xhaçka. Gjithashtu Xhaçka theksoi se kryeministri Berisha lexoi detyrat e drejtorive të një agjencie shtetërore sepse ka harruar detyrat e tij. “Sot Berisha lexoi detyrat e drejtorive sepse ka harruar 1 milion të papunët që i ka lënë pa shpresë. Ka harruar 540 mijë pensionistët që i la pa një qindarkë për Vitin e Ri. Ka harruar universitetet e spitalet pa asnjë kusht e standard shërbimi. Sepse ka dështuar me ekonominë duke lënë në baltë Shqipërinë e shqiptarët. Ndaj sot lipset që Shqipëria të ngrihet në këmbë për ta larguar këtë qeveri të dështuar që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë” theksoi Xhaçka.

Advertisement