Duke bërë një retrospektivë të aksioneve politike të opozitës gjatë 2010-ës kreu i qeverisë theksoi se që pas mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve dhe deri tek protestat në rrugë, synimi i vetëm i opozitës ishte pengimi i liberalizimit të vizave. “Opozita është e mbyllur në bunker. Ajo duhet të nxjerrë alternativat e saj nëse nuk pranon tonat” theksoi Berisha duke shtuar se kreu i PS-së Rama bojkotoi parlamentin dhe betohej që do të digjte mandatet e deputetëve. Ai gjithashtu theksoi se Rama duhet t`i jetë mirënjohës një grupi deputetësh të PS-së që nuk pranuan të djegin mandatet. “Ai e pa që mandatet do t`i merrnin kundërshtarët dhe futi deputetët në Parlament. Këtë e bëri jo për interesat e vendit por për karrigen e tij se do të mbetej G99” theksoi Berisha. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se opozita kërkon një hetim të zgjedhjeve pa pasur fakte por e mbështetur një ideologjinë e bunkerit të kreut të saj. Ndërkohë duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 Majit kryeministri Berisha theksoi se në këtë ditë shqiptarët do të dinë të përcaktojnë të ardhmen e tyre dhe të largohen nga ideologjia e bllokut. Duke iu referuar statusit të vendit kandidat dhe rrezikut që ngërçi politik paraqet për këtë proces shefi i ekzekutivit Berisha u angazhua vetëm për përmbushjen e detyrimeve që i takojnë qeverisë.