“Wine & Stories of Berat” ishte koncerti i vetëm i Capital T gjatë këtij viti. Pas një periudhe të gjatë me koncerte, udhëtime dhe performanca, reperi ka vendosur të marrë një pauzë nga skena.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka treguar se kjo shkëputje ishte e nevojshme për të, si për arsye personale, ashtu edhe për të reflektuar mbi situatën që po kalon shoqëria.
“Pas kaq shumë vitesh me koncerte, udhëtime, net pa gjumë, skena, festivale, qytete, shtete dhe mijëra njerëz përballë meje, këtë vit mora një vendim të vetëdijshëm: të mos bëja performanca”, ka shkruar Capital T.
Artisti ka theksuar se kishte nevojë për kohë larg zhurmës dhe presionit për të qenë vazhdimisht aktiv. Gjatë kësaj periudhe, ai është fokusuar në studio, ku po punon për një album të ri.
Capital T ka bërë të ditur se projekti i ardhshëm do të sjellë një tjetër perspektivë të tij, me tema që nuk i ka trajtuar më parë dhe me një qasje më personale, duke reflektuar njeriun që është sot, përtej figurës së artistit të njohur.


