Penélope Cruz dhe Javier Bardem kanë shpjeguar pse zgjedhin të flasin publikisht për çështje politike, përfshirë qëndrimin e tyre në mbështetje të Palestinës.
Çifti ndodhet në Festivalin e Filmit në Venecia, ku prezantoi filmin e ri “Bunker”. Gjatë konferencës për shtyp, Bardem theksoi se çdo njeri ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij për çështjet që i konsideron të rëndësishme, pavarësisht profesionit.
“Nuk ka rëndësi nëse je artist, aktor, hidraulik apo taksist. Ke të drejtë të shprehësh të vërtetën tënde”, tha aktori.
Bardem foli edhe për përgjegjësinë që ndien si figurë publike.
“Duhet të kemi një përgjegjësi ndaj botës në të cilën jetojmë dhe të mos e marrim këtë si të mirëqenë”.
Edhe Penélope Cruz u shpreh se për të do të ishte kontradiktore të qëndronte në heshtje, ndërsa merr pjesë në një film që trajton frikën, pasigurinë dhe dilemat morale të shoqërisë së sotme.
“Do të ishte shumë kontradiktore të isha këtu dhe të thosha: ‘Nuk dua të flas për këtë’. Është e pamundur”, deklaroi aktorja.
Në “Bunker”, Cruz dhe Bardem luajnë një çift të martuar prej 17 vitesh, marrëdhënia e të cilit vihet në provë pasi personazhi i Bardem, një arkitekt, pranon të ndërtojë një bunker për një miliarder të teknologjisë.
Penélope Cruz dhe Javier Bardem janë një nga çiftet më të njohura të kinemasë spanjolle dhe janë të martuar që prej vitit 2010. Dy aktorët, të cilët kanë ndërtuar karriera të suksesshme ndërkombëtare dhe janë vlerësuar me çmime prestigjioze, përfshirë Oscar, kanë dy fëmijë dhe zakonisht e mbajnë jetën e tyre familjare larg vëmendjes së medias.

