Kosovë – Vetëvendosje: nuk tskohemi me shërbimet e fshehta

“Vetëvendosje nuk është shërbim, nuk ka shërbime të fshehta brenda vetes, nuk është takuar dhe nuk takohet me shërbime të fshehta. Ne jemi me popullin dhe pranë popullit. Nuk merremi me shpifjet e sharlatanëve që vjedhin vota për PDK-në, siç është rasti i Muharrem Xhemajlit. Gjithçka që vjen prej ish pushtetarëve dhe veglave të tyre është në funksion të negociatave të ardhshme me Serbinë”, thuhet në reagim e shkurtër të Vetëvendosjes lidhur me deklaratën e Xhemajlit. Kryetari i OVL të UÇK-së, të premten mbrëma, ka drejtuar akuza edhe ndaj kreut të kësaj lëvizje, Albin Kurti, të cilin e ka përmendur lidhur me një takim me pjesëtarë të shërbimit sekret serb. “Ai (Kurti), pas luftës dhe lirimit nga burgu, ka mbajtur kontakte të vazhdueshme deri në vitin 2004 me inspektorë të shërbimit sekret serb dhe me njerëz të armatës serbe. Këtu vlen të përmenden vëllezërit Dacic nga Klina, me të cilët është parë Kurti në takime. Njëri prej tyre është inspektor i shërbimit sekret serb dhe tjetri oficerë i armatës serbe”, ka thënë Xhemajli. Ai ka hedhur poshtë akuzat se OVL e UÇK-së se po mbron interesat e PDK-së dhe Hashim Thaçit. “Kjo nuk qëndron, sepse ne po mbrojmë vlerat e UÇK-së në këtë rast dhe se dihet se Hashim Thaçi ka qenë një nga kryesuesit e kësaj ushtrie”, ka thënë kreu i OVL të UÇK-së.

Advertisement