Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Braçe theksoi se në një CD që ai kishte marrë ditën e Hënë, një person me emrin Daut Kadrovski akuzon atë dhe Ramën për dy vrasje. Sipas Braçes, në CD paraqiteshin “prova të rreme” të cilat kishin si qëllim të pengonin opozitën në nismën e saj kundër korrupsionit. Deputeti socialist ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha si përgjegjësin e këtij “shantazhi” në bashkëpunim me personin e shumëkërkuar nga Maqedonia, Daut Kadrioski. Sipas tij pas këtij kërcënimi që vjen nga njeriu i njohur i mafias Kadriovski fshihet Sali Berisha pasi sipas tij në seancën e kuvendit ku është diskutuar buxheti 2011 kryeministri Berisha i ka përmendur këtë person atij. Sipas Braçes në letër thuhej se kishte vetëm 24 orë kohë para se të publikohej CD-ja me materialet që sipas tij përbëjnë një vepër kriminale. Ai theksoi se për këtë çështje është takuar dje me presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe sot në mëngjes ka vënë në dijeni edhe prokurorin e Prokurorisë së Tiranës. “Pas këtyre kontakteve do të bëjmë kallëzim penal për të gjithë këtë histori që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të politikës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i kësaj është që opozita të ndërpresë fushatën kundër korrupsionit. Berisha është në dijeni të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e tij”, tha Braçe.

Advertisement