Gjykatësi Duncan Ouseley ka kundërshtuar pretendimet e përfaqesueses së Suedisë e cila i tha gjykatës, se nëse Assange fitonte lirinë me kusht, ai do të zhdukej duke mos u paraqitur në gjykatë. 39-vjecari australian, që vazhdon së publikuari kabllogramet e diplomacisë amerikane, do të qëndrojë në një shtëpi në zonën Suffolk, pronë e mikut të tij Von Smith duke u paraqitur cdo ditë në polici. Avokatët e Assange kanë depozituar një garanci pasurore prej 240 mijë stërlinash. Assange i cili kërkohet të ekstradohet në Suedi për dy ngacmime seksuale, ndodhur në muajin Gusht 2010, fitoi lirinë me kusht dy ditë më parë nga Gjykata e Ekstradimeve, por përfaqësuesja e Suedisë apeloi. Të gjitha informacionet e dy ditëve më parë linin të besohej se vendimi për të apeluar lirinë me kusht ishte kërkuar nga Suedia. Në fakt Suedia nuk e ka kërkuar një gjë të tillë por prokuroria britanike duke hedhur hije dyshimi për një reagim britanik përtej asaj cfarë i është kërkuar nga Suedia. Më 11 Janar 2011 Julian Assange do të paraqitet përsëri në Gjykatën e Ekstradimeve ku palët do t’i raportojnë gjykatësit progresin e bërë në përgatitjen për seancën finale të ekstradimit.

Advertisement