Aktorja Lisa Kudrow ka ndarë së fundmi një rrëfim prekës mbi mënyrën se si ka përballuar humbjen e mikut dhe kolegut të saj, Matthew Perry. Për të, rikthimi te episodet e serialit të famshëm Friends ka qenë një përvojë thellësisht emocionale, por edhe ngushëlluese.
Në një intervistë për Capital FM, Kudrow tregoi se shikimi i episodeve pas ndarjes nga jeta të Perry në vitin 2023 e ndihmoi të përballonte dhimbjen.
“Ishte vërtet ngushëlluese të shikoja serialin. Më bëri të qeshja dhe ai ishte gjithmonë aty”, u shpreh ajo, duke theksuar ai vazhdon të jetojë përmes humorit dhe kujtimeve.
E njohur për rolin e saj si Phoebe Buffay, Kudrow e kujtoi Perry-n me shumë dashuri, duke e quajtur “më gazmorin nga të gjithë”, një vlerësim që lidhet drejtpërdrejt me interpretimin e tij të paharrueshëm si Chandler Bing. Ajo pranoi gjithashtu se gjatë viteve të xhirimeve nuk i ndiqte rregullisht episodet, pasi si gjithë aktorët e tjerë, ishte e përfshirë në ritmin e jetës së përditshme.
Megjithatë, vite më vonë, rikthimi te “Friends” i dha një kuptim të ri përvojës së saj.
“Të gjithë më bëjnë të qesh. Dhe pastaj e kupton sa e rëndësishme është ajo ‘arratisje’ që të jep televizioni, e qeshura, lidhja, ndjesia se ka njerëz që janë aty për njëri-tjetrin. Është një lloj terapie”, tha ajo, duke nënvizuar ndikimin e madh që seriali vazhdon të ketë te publiku dhe vetë aktorët.
Matthew Perry ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare, ndërsa shkaku i vdekjes u lidh me efektet akute të ketaminës. Pas lajmit tronditës, Lisa Kudrow ishte ndër të parat që reagoi, duke kujtuar miqësinë e tyre të ngushtë dhe vitet e paharrueshme që ndanë së bashku në xhirimet e “Friends”.
Ajo i përshkroi ato vite si “disa nga më të mirat që mund të përjetosh ndonjëherë”, duke dëshmuar se lidhjet e krijuara përpara kamerës shpesh zgjasin përjetësisht.


