Kosovë – Thaci përgëzon qytetarët për suksesin e zgjedhjeve

Ai tha se “bazuar në vlerësimet e gjithanshme, të bëra nga misionet e ndryshme të vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe deklaratën zyrtare të Bashkimit Evropian nga zyra e baroneshës Catherine Ashton dhe të komisionerit të BE-së për zgjerim, Stefan Fule, proçesi zgjedhor është vlerësuar shumë i qetë, i përgatitur mirë dhe pa deformime serioze teknike, që do të mund të vinin në dyshim rezultatin zgjedhor”. “Prandaj, përfitoj nga rasti që të falënderoj qytetarët e Republikës së Kosovës për maturinë e treguar dhe për pjesëmarrjen shumë të kënaqshme në proçesin e votimit. Gjithashtu, dua të uroj edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve në këtë afat të shkurtër zgjedhor. Për më tepër, sot është obligim ligjor i KQZ-së dhe i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa që të adresojnë të gjitha ankesat e mundshme, që me profesionalizëm t`i adresojnë të gjitha vërejtjet e mundshme dhe me vendimet e tyre të përmirësojnë ndonjë parregullsi të mundshme” theksoi Thaci. Këto veprime janë të domosdoshme për të siguruar se vullneti i shprehur i qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shprehur përmes votës së lirë, të respektohet dhe të implementohet në tërësi. Në të njejtën kohë, falenderoj të gjitha partitë politike të Kosovës për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor. Thaci theksoi se është jetike që të tregohet pjekuri politike, andaj kërkoi që të gjitha partitë politike të angazhohen për t`ia mundësuar organeve kompetente kushtetuese që të japin vlerësimin e tyre përfundimtar për mbarë procesin zgjedhor. “Cilido që të jetë vendimi përfundimtar i KQZ-së dhe Panelit për Ankesa dhe Parashtresa, ai duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike”, deklaroi në fund Thaçi.

Advertisement