“Sali Berisha dështoi dhe pasojat e po i vuajnë sot banorët e Shkodrës dhe Nën Shkodrës të cilët Saliu me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij i përmbyti për herë të pestë brenda një viti”, tha Beqja në një konferencë dhënë sot për mediat. Ai u shpreh se mazhoranca refuzoi dhe planin e opozitës për shpëtimin e vendit nga përmbytjet, duke u bazuar vetëm në interesin elektoral. “Sali Berisha dështoi të bënte minimumin për të parandaluar përmbytjet, por më shqetësues është fakti që edhe sot, duke refuzuar propozimin e Partisë Socialiste për ndërhyrjet në mbrojtje të banorëve dhe tokave të Shkodrës, Nën Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë nga përmbytjet, Saliu po dëshmon se ai nuk është i interesuar të zgjidhë hallet e problemet e popullit”, tha Beqja. Deputeti i zonës së Shkodrës tha se përmbytjet janë kthyer në një ritual tragjik për dhjetëra mijëra shqiptarë me pasoja të pariparueshme për familjet shqiptare. Ai u shpreh se pasoja të pariparueshme kanë dhe për ekonominë e vendit. “Reagimi i vetëm i qeverisë së Saliut kanë qenë sulmet ndaj opozitës dhe larja e duarve nga çdo lloj përgjegjësie. A thua se nuk ishte po ky kryeministër që dhjetë muaj më parë, pas përmbytjes së parë, edhe të dytë, edhe të tretë, edhe të katërt premtonte se një situatë e tillë nuk do të përsëritej më kurrë”, tha sot Beqja.