Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin Berisha ambasadori Arvizu lavdëroi autoritetet shqiptare për përpjekjet e deritanishme, të cilat sipas tij janë shumë mbresëlënëse. “E di se me të gjithë ujërat e përmbytjet, me të gjitha vështirësitë, me të gjitha evakuimet, për aq sa jam në dijeni, asnjë jetë nuk është humbur, pa dyshim përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për t`u kujdesur për mirëqenien, për njerëzit dhe mendoj se është një gjë shumë pozitive. I`u zotova Kryeministrit se ne do të jemi në kontakt të ngushtë me zyrtarët e tij në ditët dhe muajt në vijim, për t`u përpjekur për të vlerësuar nevojat dhe për t`u përgjigjur në masën që kemi mundësi” theksoi ambasadori Arvizu. Gjithashtu diplomati amerikan theksoi se së shpejti do të hapet edhe një linjë fillestare asistence për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet në Shkodër. Nga ana e tij kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen ambasadorit Arvizu,për të gjithë ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA-ja i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, kombit shqiptarë në tërësi, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar sistemin demokratik të bazuar në vlerat e lirisë. Ai gjithashtu theksoi se së bashku me ambasadorin Arvizu kanë rënë dakord për një frymë tërësisht të hapur transparente dhe për një bashkëpunim për marrëdhënie midis dy vendeve tona dhe për një ndihme dhe mbështetje në konsolidimin e këtyre vlerave dhe të shteti ligjor në Shqipëri.