Ai ka theksuar se është e domosdoshme që në bisedime të flitet edhe për statusin e Kosovës. “Është e ditur se Beogradi dëshiron që bisedimet të fillojnë sa më shpejt dhe të arrihet një kompromis i pajtimit historik mes serbëve dhe shqiptarëve”, ka thënë Bogdanovic për mediat serbe. Ai ka vlerësuar se bisedimet fillestare mund të nisin në fund të vitit. Ndërsa, “ato më serioze”, Bogdanovic, pret që të fillojnë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës. Bogdanovic, ka thënë se në ekipin e Serbisë do të jenë të përfshirë edhe serbët e Kosovës. Bogdanovic duke folur për kundërshtimin e Kosovës për të biseduar për statusin, ka thënë se në fakt Prishtina nuk është e gatshme të bisedojë as për temat që kanë të bëjnë me çështjet e përditshme. “Në dy muajt e fundit, Prishtina bën gjithçka, që sa më shumë ta shtyjë dialogun. Mendoj se kohërat kanë ndryshuar, se Prishtina dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që e ka mbështetur Prishtinën janë vetëdijësuar se dialogu do të ndodhë”, ka thënë Bogdanovic.