Tiranë – PD: Rama qesh me banorët e zonave të përmbytura

Në deklaratë për mediat zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj deklaroi se kreu i PS-së është i vetmi politikan që po qesh me fatkeqësinë e banorëve të zonave të përmbytura. “Z. Rama gëzimi juaj mbi fatkeqësinë që po përjetojnë ata qytetarë, tregon vetëm një shpirt të zi të denjë për etërit shpirtërorë, tregon se jeni i zhveshur nga çdo vlerë morale dhe se duke qeshur mbi vështirësitë apo fatkeqësitë e banorëve të zonave të përmbytura nuk mund të besoni se po i afroheni pushtetit”, tha zëdhënësja e PD-së. Në deklaratën e PD-së theksohet se kreu i PS-së po fyen institucionet dhe punonjësit që po operojnë për shpëtimin e zonave të përmbytura. “Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj pasi kryetari i PS-së, Z. Edvin Rama, ka dy ditë rresht që fërkon duart nga gëzimi për përmbytjen që po ndodh në veri të vendit dhe nuk gjen madje asnjë fjalë të vetme për solidaritetin për këto zona të përmbytura e për banorët e tyre”, thuhet në deklaratën e PD-së. Për PD-në qëndrimi i kreut të PS-së është një sulm me gjuhë vulgare ndaj njerëzve që po kryejnë operacionet e shpëtimit dhe banorët që po vuajnë. “Z. Rama po sulmon çdo ditë me një gjuhë vulgare jo vetëm institucionet e këtij shteti, por edhe mijëra punonjës të tyre, që prej ditësh, janë të angazhuar në një operacion të pandërprerë për shpëtimin dhe kthimin në normalitet të këtyre zonave”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Advertisement