“Ne jemi mjaft të bindur se Valdete Daka dhe KQZ-ja do të organizojnë proces zgjedhor të besueshëm, kompetent dhe mirë të planifikuar”, deklaron ambasadori amerikan. Gjatë një vizite në Panelin për Ankesa në KQZ, Dell tha se zgjedhjet do të organizohen edhe në pjesën veriore të Mitrovicës. “Unë besoj që zgjedhjet do të mbahen atje, sepse të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtën e votës së tyre, disa mund të mos e shfrytëzojnë atë, por të gjithë duhet të jenë të barabartë për të shprehur dëshirën e tyre për zgjedhjen e udhëheqësve të tyre. Prandaj edhe nëse këto raporte janë të sakta rreth disa obstruksioneve që mund të vinë nga autoritete të ndryshme, ne kemi për qëllim që të vazhdojmë dhe të shohim se të gjithë qytetarët e Kosovë kanë të drejtën e shfrytëzimit të votës më 12 dhjetor”, vlerëson Kristofer Dell. Ndërsa udhëheqësi i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, tha se ky institucion ka marrë mbështetje të fuqishme nga ambasadori Dell dhe faktori ndërkombëtarë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 12 Dhjetorit.