Emri më i kërkuar në Google për vitin 2025 është bërë publik dhe arsyeja pas këtij interesimi nuk është fare pozitive.
Çdo dhjetor, platformat online zakonisht publikojnë përmbledhjet vjetore, qofshin ato statistika personale, si Spotify Wrapped, apo të dhëna globale për vitin që po mbyllet.
Sipas të dhënave të Google, emri më i kërkuar në botë për vitin 2025 është d4vd, artisti 20-vjeçar i njohur për këngët “Feel It” dhe “Here with Me”. Por rritja e kërkimeve nuk lidhet me suksesin e tij muzikor, por me një ngjarje të rëndë kriminale.

Interesi publik nisi pasi u zbulua se një adoleshente e zhdukur ishte gjetur e pajetë në bagazhin e një automjeti Tesla që rezultonte në pronësi të këngëtarit.
Viktima u identifikua si Celeste Rivas, e cila ishte zhdukur në moshën 13-vjeçare nga Kalifornia. Trupi i saj u gjet pasi një erë e rëndë u vu re afër automjetit, i cili ndodhej në një parkim të sekuestruar nga autoritetet në Los Angeles. Gjatë kontrollit, policia zbuloi eshtrat e vajzës brenda makinës.

Më pas u konfirmua se automjeti i përkiste d4vd, emri i vërtetë i të cilit është David Anthony Burke, duke ngritur menjëherë pikëpyetje mbi përfshirjen e tij në rastin e zhdukjes dhe vdekjes së adoleshentes. Celeste Rivas kishte mbushur 15 vjeç përpara se të gjendej.
Ndërkohë, edhe pse artisti nuk është akuzuar zyrtarisht për asnjë krim, në internet u publikua një këngë në SoundCloud, ku përmendet një personazh me emrin Celeste. Teksti përfshin vargje si: “Oh, Celeste / vajza me emrin tim tatuazh në gjoks / e ndiej në rrobat e mia si erë cigareje / e dëgjoj zërin e saj sa herë marr frymë / jam i fiksuar…”. Kjo nxiti edhe më tej debatin publik.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar se si dhe kur ka ndërruar jetë Celeste. Ekipet ligjore në SHBA po shqyrtojnë nëse ka prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave lidhur me vdekjen e saj. Ndërkohë, d4vd ka anuluar të gjitha koncertet e planifikuara.
Deri në këtë moment, ai nuk është akuzuar zyrtarisht për vdekjen e adoleshentes.


