Tragjike! Humbin jetën në aksident prindërit e trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi.

Kanë humbur jetën në një aksident prindërit e trajnerit të Kombëtares Shpresa, Alban Bushi.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria-Selanik, pranë Kouloura Imathias.

Advertisement

Fugoni me targa PMX-8942 i drejtuar nga 47-vjeçari grek Marios Simitliotis është përplasur me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare AB 454 GF që drejtohej nga 75-vjeçari shqiptar Ali Bushi.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 75-vjeçari Ali Bushi dhe pasagjerja 71-vjeçare Bukurije Bushi. I plagosur lehtë ka mbetur edhe shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia.

Mësohet se dy viktimat janë prindërit e Alban Bushit, ish futbollistit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, aktualisht trajner i Kombëtares U-21.

Alban Bushi është ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka shënuar 14 gola me skuadrën kuqezi. Ai tashmë është trajneri i Kombëtares U-21 që nga viti 2016, i cili i ka drejtuar Shpresat në 58 takime.