Tiranë – Zv/kryeministri Meta fton Emiratet e Bashkuara Arabe të investojnë në vendin tonë

Këtë ide mbështeti sot në takimin me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ilir Meta, Asistenti i Ministrit të Jashtëm për çështjet ekonomike të Emirateve të Bashkuara Arabe, Khaled Ganem Al Geith në kuadër të vizitës që po zhvillon në krye të një delegacioni në Tiranë. Al Geith theksoi gjithashtu se vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Dubai do t’i shërbente shumë bashkëpunimit si për investimet, ashtu edhe për turizmin, apo fusha të tjera të interesit reciprok. Asistenti i Ministrit të Jashtëm për çështjet ekonomike të Emirateve të Bashkuara Arabe shprehu gatishmërinë e qeverisë që ai përfaqësonte për të marrë në konsideratë investime në portet detare dhe në fushën e energjisë. Zoti Meta falenderoi H.E. Khaled Ganem Al Geith për financimin e plotë të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e aeroportit të Kukësit dhe bëri një prezantim të mundësive që Shqipëria ofron për investime. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta duke shprehur dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe i ftoi investitorët e këtij vendi arab të investojnë në ndërtimin e dy rrugëve të reja në vendin tonë, rrugën e Arbrit dhe Boshtin e Jugut, si dhe në procesin transparent të privatizimit të Albpetrolit. Ministri i Ekonomisë, e cilësoi fazën aktuale të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë si momentin më të mirë për kryerjen e investimeve. Nga ana e tij, Asistenti i Ministrit të Jashtëm për çështjet ekonomike të Emirateve të Bashkuara Arabe, H.E. Khaled Ganem Al Geith u shpreh i njëmendtë për rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe investimeve mes dy vendeve. Në takim u diskutua edhe për ndërtimin e Tunelit të Krrabës, njëra nga pikat kyçe të korridorit 8, duke theksuar se fondet që do të akordohen së shpejti nga Emiratet e Bashkuara do të shkojnë për këtë projekt të ri, që shkurton në mënyrë të ndjeshme rrugën Elbasan-Tiranë.

Advertisement