Seanca e ardhshme është shtyrë për në datën 9 Nëntor. Gjatë seancës morën pjesë familjarë të viktimave si dhe tre deputetë të Vlorës, Ardian Kollozi, Kreshnik Çipi dhe deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri. Sikundër mësohet seanca e sotme që në krye ka nisur me debate, ku disa familjarë të viktimave kanë akuzuar avokaten Natasha Shehu për mashtrim të familjarëve të viktimave, ndërsa ajo vijon ende të mbrojë disa prej tyre në çështjen e Otrantos. Trupi gjykues i drejtuar nga kryetari i Gjykatës së Leçes, Roberto Tanisi, mori vendimin që në seancën e 9 Nëntorit të dëgjohen 18 avokatët mbrojtës dhe në 21 Dhjetor do të jepet vendimi përfundimtar për çështjen e Otrantos. Tragjedia e Otrantos në 28 mars të 1997-ës, ndodhi për shkak të goditjes që anija luftarake Sibilla i ka bërë anijes së vogël shqiptare. Në të udhëtonin 120 emigrantë shqiptarë përdrejt brigjeve italiane, por pas përplasjes 81 persona, ndër ta gra e fëmijë nuk mundën dot t’i shpëtojnë detit për të kaluar në bregun italian, ndërsa 24 nuk u gjetën asnjëherë.