Kërkoi datën e gjyqit, qytetari ndërron jetë në Gjykatën e Tiranës.

Një qytetar humbi jetën këtë paradite në Gjykatën e Tiranës.

Mësohet se viktima po qëndronte ulur në stol, në momentin kur ndërroi jetë. Shkaku dyshohet të jetë arrest kardiak.

Advertisement

Dëshmitarët në vendngjarja thanë se qytetari u paraqit në ambientet e gjykatës për të pyetur për datën e gjyqit.

“Erdhi të pyeste për orën e gjyqit, por nuk ndihej mirë dhe u ul në stol“, rrëfeu një qytetar.

Avokati i tij, duke folur për mediat, tha se ky është klienti i 13-të që ndërron jetë nga drejtësia e vonuar.

Ne u vumë në dijeni, ne i kemi pritë këto gjëra, i jemi drejtuar edhe institucioneve të Shqipërisë se drejtësia e vonuar kështu do përfundojë.

Deri më tani, vetëm 13 klientë të mi kanë vdekur duke pritur gjyqin.

Tani gjykata është vërtet e vështirë, por duhet të dalin të shtunë dhe të diel, jo të shtyjnë gjyqet nga 3-4 muaj,” tha avokati i tij.

Ai tha se viktima fillimisht u akuzua për përndjekje ndaj partneres, më pas për shkaktim të vetëvrasjes.

Sipas tij, viktima nuk kishte asnjë problem shëndetësor, ishte i fuqishëm dhe nuk ishte ankuar.

Qindra qytetarë “vuajnë” stokun e dosjeve në Gjykatën e Tiranës, e cila ndodhet përballë ngarkesave të mëdha, pas procesit të Vettingut dhe hartës së re gjyqësore.

Sipas informacioneve, një gjyqtar i vetëm në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës ka firmosur një mijë vendime përgjatë vitit 2023, ndërsa kolegët e tyre të Dhomës civile kanë shqyrtuar deri në 2300 çështje.

Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Penale në datën 31 dhjetor 2023, është 250-300 dosje në gjykim, ndërsa ka firmosur 1 mijë vendime përgjatë 2023.