Tiranë – Dritan Prifti largohet nga LSI: kam duruar kërcënime për fëmijët e mi

Në letër Prifti thotë se “kam marrë këtë vendim përfundimtar pas disa mesazheve të shkëmbyera me Ilir Metën ku ai më përmendte dhe katër fëmijët e mi”. Kurse pohon se “atij mesazhi unë nuk iu përgjigja, sepse mu duk si ato kërcënimet që kam marrë muajt e fundit si Ministër, ku kërcënuesit më përmendnin fëmijët dhe se i dinin shkollat e tyre”. Më tej Prifti thotë se “ka duruar shumë kohët e fundit” dhe detajon duke marrë në mbrojtje dhe njerëz të tjerë: “Kam duruar shumë vitin e fundit. Kam duruar presione për tenderë, koncesione apo privatizime. Kam duruar si më arrestonin me bujë, në zyrat e ministrisë, këshilltarin tim të pafajshëm, për të më bërë mua presion për detyrën, për të parë më vonë lirimin e tij dhe tërheqjen e akuzës. Kam duruar, bashkë me familjen e mikut tim Eduard Belegu, zhdukjen pa gjurmë të tij dhe neglizhencën totale të policisë për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Kam duruar goditje të bashkëpunëtorëve të tjerë, vetëm se ata përballeshin dhëmbë për dhëmbë me mafian për të ndaluar kontrabandën dhe korrupsionin”.

Advertisement