Tiranë – Shtyhet shqyrtimi i mandatit të deputetit Beqja

Një grup deputetësh ka kërkuar prej disa ditësh heqjen e mandatit të Ilir Beqjas. Sot paradite këshilli kuvendor për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka diskutuar në një mbledhje me dyer të mbyllura heqjen e mandatit të deputetit socialist. Këshilli i rregullores për mandatet mësohet se ka lexuar kërkesën e depozituar në Kuvend në 1 tetor, ku deputetët e PD-së, e akuzojnë deputetin socialist për konflikt interesi, pasi sipas tyre, kompania e drejtuar prej tij, një vit më parë, fitoi tenderin për pajisjen e bashkisë së Durrësit me sistemin elektronik duke përfituar një kontratë prej 240 milionë lekësh. Deputeti Ilir Beqja dhe Partia Socialiste e kanë kundërshtuar një fakt të tillë, duke theksuar se aktiviteti i kompanisë ishte zhvilluar kur ai nuk kishte bërë ende betimin e tij si deputet. Mbledhja e sotme e këshillit për rregulloren, mandatet dhe imunitetin e deputetit është cilësuar si një mbledhje që po mbahet jashtë procedurave ligjore të kuvendit dhe si e tillë çdo vendim i saj do të cilësohet si i pavlefshëm nga opozita.

Advertisement