Tiranë – Kryeministri Berisha takohet me homologun boshnjak: të vendoset linjë ajrore mes dy vendeve

Në planin konkret u ra dakord që mes dy vendeve të vendosen edhe komunikime më direkte, siç është ajo e vendosjes së një linjë ajrore. “Gjatë takimit, u ra dakord të konsiderohej edhe mundësia për vendosjen e linjës ajrore midis dy vendeve, një hap i rëndësishëm ky që do të ndihmojë në shkëmbimin dhe forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Dy kryeministrat ranë dakord edhe për të kompletuar tërësisht kuadrin ligjor, me qëllim nxitjen e investimeve”, njofton kryeministria. Gjatë takimit Berisha dhe Mujezinoviç vlerësuan dhe vendimin e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave. Kjo ngjarje u cilësua nga të dy kryeministrat si një çast i shënuar dhe i jashtëzakonshëm, që do të mbetet i paharruar në kujtesën historike të të dy vendeve dhe popujve. Berisha e vlerësoi vizitën e kryeministrit Mujezinoviç dhe delegacionit që e shoqëronte si një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet midis Federatës së Bosnje Hercegovinës dhe Shqipërisë, por edhe midis dy vendeve dhe dy popujve tanë miq. Dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe ndjenjat e miqësisë tradicionale midis kombit boshnjak dhe atij shqiptar. Gjithashtu, u vlerësuan edhe hapësirat dhe potencialet e mëdha për bashkëpunim të frytshëm, në veçanti në fushën e turizmit, të energjisë, në fushën ekonomike, në fushën e arsimit, të kulturës, të transportit, infrastrukturave të rëndësishme, si dhe në tërheqjen e investimeve me interes të ndërsjellë në të dy vendet. Duke iu referuar komunitetit boshnjak që jeton në Shqipëri, Kryeministri Mujezinoviç e falenderoi Kryeministrin Berisha për nivelin e jetesës së këtij komuniteti, duke theksuar se komuniteti boshnjak në Shqipëri jeton në kushte jashtëzakonisht të mira dhe se ata janë tërësisht të integruar në jetën e vendit.

Advertisement