Mirlind Daku shkroi emrin e tij me gërma të arta duke shënuar golin e dytë kundër Polonisë sapo hyri në fushë, me prekjen e parë të topit.
Në shenjë feste, ai hoqi fanellën, duke marrë kështu edhe karton të verdhë. Në atë moment, ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut, ishte tatuazhi që ai kishte gdhendur në trup. Daku ka të përjetësuar fjalën ‘Katana 138’, nofka e komandantit legjendar të UÇK-së Agim Ramadani.
Së fundmi, i ftuar në “Shqipëria LIVE”, Daku ka folur për këtë tatuazh, duke treguar se është një simbol i bashkimit kombëtar, ndërsa shtoi se nuk i intereson edhe nëse dënohet.
“Në momentin kur e kam hequr bluzën, e harrova, pastaj në një moment kur po vishja bluzën u kujtova dhe e tregova me gisht. Ishte një mesazh që doja ta përçoja. E dija që do flitej. Njerëzit që kanë dhënë jetën për liri nuk duhet të harrohen. E dija që do flitej shumë, kam parë dhe reagimet. Zgjodha atë moment sepse gjithmonë, jam rritur me frymë patriotike në shtëpi, me dashurinë për Ramadanin si komandant, na ka lidhur dhe me art. Ndarjet shtetërore, kufijtë janë vetëm politike për mua. Kur i sheh shumë shqiptarë që kanë vdekur për luftën në Kosovë, tregon se nuk kemi kufij. ‘Katana’ do të thotë ‘i pathyeshëm’ për këtë arsye i vendosën këtë pseudonim Agim Ramadanit”, është shprehur futbollisti.
Pas kësaj ngjarje, disa media në Serbi kanë kërkuar dënimin e Dakut për tatuazhin, pasi sipas tyre është simbol nacionalist dhe provokues.
“Edhe nëse më dënojnë, nuk më intereson, vetëm shpresoj që kombëtarja mos të dënohet. Në Rusi, nuk ka asnjë reagim për tatuazhin tim. Kam bashkëlojtarë nga Serbia, por nuk më thonë gjë ndoshta kanë frikë. Më kanë pyetur për tatuazhin, ua kam treguar. Ata nuk e dinë fare se çfarë është si ngjarje. Ne si shqiptarë kudo jemi diskriminuar për gjëra politike etj. Normalisht kur vjen prej një shteti që është i vogël dhe që nuk ka shumë fuqi për të bërë gjëra të mëdha, duhet të jesh 3 herë më i mirë se të tjerët”, ka përfunduar ylli i Kombëtares.