Njihuni me risinë më të re të WhatsApp!

‘WhatsApp’ na jep tani mundësinë për të dërguar video në HD. Një javë më parë, platforma e mesazheve prezantoi një veçori të re që lejon përdoruesit t’u dërgojnë foto të tjerëve me rezolucion të lartë dhe tani ka zgjeruar funksionin edhe në video.

Platforma në pronësi të ‘Meta’ konfirmoi se risia për të dërguar dhe marrë video në HD aktualisht është duke u përhapur për përdoruesit si në Android ashtu edhe në iOS.

Advertisement

Ngjashëm me mënyrën se si dërgoni foto me definicion të lartë, veçoria e videos HD mund të aktivizohet kur jeni gati ta ndani videon me të tjerët. Deri më tani, videot në platformë ishin të kufizuara në 480p, por tani përdoruesit mund të aktivizojnë opsionin 720p.

Hapat janë të njëjta si me fotot. Zgjidhni videon që dëshironi dhe klikoni ikonën HD që ndodhet në pjesën e sipërme të ekranit. Më pas, do të shfaqen alternativat nëse dëshironi ta dërgoni videon në formatin Standard apo HD. Zgjidhni dhe dërgoni mesazhin si zakonisht.

Këtë muaj, kompania zbuloi një sërë veçorish të reja, disa prej të cilave përfshijnë aftësinë ‘share screen’ në video call, bisedat zanore në grupe, modifikimin e titrave të mediave të dërguara dhe krijimin e grupeve pa emra.