“U vodhën zgjedhjet për të zhvatur çdo ditë një pjesë të atdheut tonë të përbashkët. Ky pushtet i kalbur dhe i zhytur në korrupsion mund të ndalet veçse me protesta, me fuqinë e popullit, pasi ky pushtet i pavotuar nuk ka më frikë nga shqiptarët pasi mendon se do të vjedhë sërish vota për të vazhduar i qetë grabitjet e tij”, deklaroi shefi i opozitës nga Gramshi. Duke iu referuar akuzave me fakte për korrupsion e përfshirje në afera kriminale, kreu i socialistëve, theksoi se “Ju e shikoni sesi ministrat me radhë janë të përfshirë në vepra korrupsioni shpesh herë të papërfytyrueshme”. “Ju e shikoni sesi edhe burgjet janë kthyer në aktivitete fitimprurëse për drejtorë, që dënohen për korrupsion, shfajësohen për shërbime ndaj pushtetit, riemërohen për të vazhduar të bëjnë korrupsion dhe jo më me përmasa të vogla, por me përmasa që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, duke u dhënë leje njerëzve që janë dënuar nga gjykata e krimeve të rënda dhe që nuk kthehen më në burg”, tha Rama duke nënvizuar këtu se lidhur me këtë cështje nuk japin llogari ende as Ministri i Drejtësisë, as Ministri Brendshëm. Ai vuri theksin edhe në akuzat për zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kulicaj, duke theksuar papërgjegjshmërinë e ministrit të Brendshëm, i cili sipas Ramës, “krihet dhe del sikur reciton përpara pasqyrës për të na treguar se policia e tij qenka e gjitha në krye të detyrës, ndërkohë që as më shumë e as më pak, po zv. Drejtori i Përgjithshëm i policisë është i akuzuar drejtpërdrejtë nga një ministër i qeverisë së Sali Berishës për organizimin dhe koordinimin e një veprimtari të tmerrshme kontrabande dhe korrupsioni”. Kryetari socialist shprehu vendosmërinë se “PS do të vazhdojë të bëjë transparencë mbi çdo akt korruptiv të pushtetit, dhe nuk do të ndalet pavarësisht gjithë llumit e baltës që pushteti hedh çdo ditë duke sharë e shpifur në adresë të socialistëve.