Tiranë – Felaj: familjarët e ministres Bregu janë përfshirë në një proces pastrimi parash

Duke iu referuar dokumentacionit zyrtar të depozituar pranë Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit, deputetja Felaj tha se lidhja mes familjes mafioze italiane Prudentino dhe familjes së Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është një lidhje e fortë dhe e shtrirë në kohë. “Nëse familja e bosit të “Sacra Corona Unita” kishte përfshirë vetëm djalin e familjes, Angelo Prudentino, në bizneset në Shqipëri të kësaj organizate mafioze, nga familja Bregu është përfshirë në të njëjtin biznes me familjen Prudentino, jo vetëm njëra prej motrave të ministres, Ornela Bregu, jo vetëm një kunat, Ervis Gjeçi, por edhe kunati tjetër, Gani Bakiu, bashkëshorti i Rovena Bregut, motrës së vogël të Ministres së Integrimit”, deklaroi deputetja socialiste. Sipas Felajt këto lidhje mes familjes Bregu dhe familjes Prudentino, bëhen edhe më të qarta kur sipas dokumentacionit të depozituar pranë QKR-së, aksionet e Angelo Prudentinos, vetëm një ditë pas arrestimit të bosit të mafias, figurojnë t’i jenë shitur dy kunetërve të Majlinda Bregut, Ervis Gjeçi dhe Gani Bakiu. “Nga i gjithë transaksioni financiar i kryer mes kunetërve të Majlinda Bregut dhe familjes Prudentino, rezulton se familjarët e Ministres së Integrimit janë përfshirë, as më shumë e as më pak, në një proces të mirëfilltë pastrimi parash të mafias italiane”, tha zonja Felaj Deputetja e PS-së, nënvizoi sakaq se “nëse investimet në Shqipëri nga Angelo Prudentino janë bërë fillimisht përmes parave të pista të mafias italiane “Sacra Corona Unita”, në momentin, kur këto biznese u janë shitur familjarëve të një Ministreje të Qeverisë shqiptare, automatikisht paratë e familjes Prudentino janë kthyer në para të pastra, pra në këtë rast, familja e Ministres sonë të Integrimit ka shërbyer si një lavatriçe për të pastruar paratë e mafias italiane”. Deputetja Ermonela Felaj i bëri thirrje kryeministrit Berisha se pas këtyre akuzave të rënda ai nuk duhet të presë më për të larguar nga posti i ministres së Integrimit, Majlinda Bregun, e cila sipas selisë rozë, “është kthyer në turpin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.

Advertisement