“Ligji për Gjykatat Administrative u ndërtua për të ulur mundësitë për korrupsion, për të përmirësuar transparencën në sistemin gjyqësor, për të përforcuar sundimin e ligjit, për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet publike, si dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian”, thuhet në qëndrimin zyrtar. Kurse theksohet se ligji ishte identifikuar si një kërkesë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ka pasur mbështetje të gjerë nga partitë politike dhe komuniteti i biznesit. Dështimi në miratimin e këtij ligji ka çuar në tërheqjen e ndihmës së vazhduar të SH.B.A. për përbërësin e Gjykatave Administrative në marrëveshjen “Sfida e Mijëvjeçarit”, një projekt afro 16 milionë dollarë. Veprimtaritë e planifikuara më parë që tani nuk do të vihen në zbatim nga SH.B.A. përfshijnë instalimin e një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, blerjen e pajisjeve, mbikëqyrjen e sesioneve fillestare të trajnimit, si dhe kryerjen e një fushate ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi atë se cilat do të kishin qenë përfitimet nga Gjykatat e reja.