Tensione në veri të Kosovës, serbët bllokojnë komunat. SHBA: Situatë, shqetësuese…

Kjo e hënë nisi sërish me tensione në veri të Kosovës. Qytetarë serbë u mblodhën para komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, në një kohë kur kryetarët e rinj pritet të nisin këtë punën.

Policia e Kosovës tha se protestuesit në Zveçan kanë tentuar të hyjnë me dhunë në godinën e komunës. Policia tha se protestuesit kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë tentuar të kalojnë kordonin e sigurisë dhe se ajo u kundërpërgjigj me spray.

Advertisement

Po këtë të hënë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka shtuar prezencën në veri.

Ndërkohë, dy prej kryetarëve të rinj, ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe i Zveçanit, Ilir Peci, zhvilluan një takim me ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Lista Serbe ka dy kërkesa për tërheqjen e protestuesve, drejtuar përfaqësuesve të KFOR dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë.

Në një reagim, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç tha se detyra e KFOR-it është që të mos lejojë aktet e njëanshme të Prishtinës. Ai u shpreh se shqiptarët nuk mund të jenë kryetarë në komunat serbe. Daçiç shtoi se forcat e armatosura të Serbisë janë në gjendje gatishmërie.

Më 26 Maj, në këto komuna serbët lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës, teksa kjo e fundit asistoi kryetarët e rinj që të hynin në zyrat komunale. Bashkësia ndërkombëtare ka fajësuar qeverinë në Prishtinë për rritjen e tensioneve në veri.