Një fakt i tillë u theksua sot nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë një takimi me ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri, Zeljko Peroviç. Bashkëpunimi dypalësh, zgjerimi dhe konkretizimi i tij i mëtejshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, ecuria pozitive e integrimit evropian e euroatlantik, si dhe bashkëpunimi rajonal e zhvillimet në rajon, ishin temat kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Por gjatë takimit, u shqyrtuan dhe u evidentuan përparimet e bëra në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën ekonomike, të infrastrukturës turistike, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, u shpreh angazhimi i përbashkët për përshpejtimin e procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve në proces, veçanërisht i Protokollit për qarkullimin e ndërsjellë në zonat kufitare. Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan lidhur me bashkëpunimin rajonal, duke vlerësuar rolin konstruktiv dhe të rëndësishëm të të dy vendeve në rajon, si dhe duke shprehur angazhimin për mbështetjen e kandidaturave reciproke në organizatat ndërkombëtare.