Deputetja socialiste, Ermonela Felaj deklaroi në një konferencë për mediat se “Zonja Bregu është pronare e tre apartamenteve në qendër të Tiranës saktësisht të dy apartamenteve 3+1 dhe të një tjetër apartamenti 2+1”. Felaj duke iu referuar çmimeve të tregut të apartamenteve theksoi se “Të gjitha këto apartamente nëse shiten sipas çmimit të referencës, pra çmimit minimal, që përdoret në rast shitjeje prej 1700 dollarësh për metër katror, çmim ky i miratuar nga vetë qeveria ku bën pjesë zonja Bregu, në datën 3 shkurt 2010, në Udhëzimin “Për miratimin e kostos mesatare të banesave”, kapin minimalisht vlerën e rreth 600 000 eurove”. Në këtë kontekst deputetja Felaj i ka kërkuar ministres Bregu të deklarojë burimin e parave me të cilat janë blerë këto apartamente, duke aluduar se paratë e kanë burimin nga bashkëpunimi me mafian italiane. Deputetja Felaj tregoi për mediat fotot e pallatit ku gjenden apartamentet dhe dokumentin që vërtetonte se ministrja Majlinda Bregu prej muajsh është paguese e rregullt e pagesave administrative për këto apartamente, çka provon se ato janë në pronësinë e saj. “Zonja Bregu në gënjeshtrën e saj të fundit publike tha se e ka deklaruar blerjen e këtyre apartamenteve, ndërsa në deklaratat e pasurisë në vite, të zonjës Bregu nuk ka asnjë deklarim për blerjen e apartamenteve në fjalë”, tha deputetja socialiste. Sipas përllogaritjeve të saj, “maksimumi i lëvizjeve bankare të deklaruara nga zonja Bregu në deklaratën e saj të pasurisë është 120 000 euro, ndërkohë që sipas çmimeve të referencës të tre apartamentet në pronësi të saj vlejne minimalisht 600 000 euro”.