Kreu i shtetit shqiptar është takuar dje me kryetarin e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Republikës së Kinës, Vu Banguo. Gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe Kryetari Banguo diskutuan për situatën në Ballkan duke u ndalur në çështjen e Kosovës, ku kryetari i shtetit shqiptar theksoi qëndrimin e Shqipërisë se: “njohja e pavarësisë së Kosovës është mënyra e vetme për t’i kontribuar stabilitetit afatgjatë dhe paqes jo vetëm rajonale, por edhe globale”. “Gjithashtu, ne mbështesim dialogun e sinqertë e konstruktiv mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve praktike, çfarë do t’u shërbente interesave të përditshme të qytetarëve të tyre”. Në këtë pikë, Presidenti Topi shprehu urimin për një njohje të shtetit të pavarur të Kosovës edhe nga Republika Popullore e Kinës, duke e siguruar Kryetarin Vu Banguo se kjo do të shënonte rritjen e mëtejshme të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Dy personalitetet e larta shtetërore vlerësuan gjatë bisedës klimën mjaft të mirë të bashkëpunimit që ekziston midis dy vendeve tona, si dhe nivelin e kënaqshëm të dialogut politik dhe shkëmbimit të vizitave të rangjeve të larta. Në këtë kuadër, u vu në dukje rëndësia e vizitës së Presidentit Topi dhe pjesëmarrja e tij në “Ekspo Shangai 2010”, si një pikë kulmore e marrëdhënieve midis dy vendeve, që i kontribuon konsolidimit e thellimit të tyre të mëtejshëm.