Këlliçi: Transporti publik falas, zbatohet në 250 vende të botës!

Skeptikëve që vënë në dyshim realizimin e premtimit të tij elektoral për transport publik falas, kandidati i koalicionit opozitar për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi u solli si shembull aplikimin e këtij shërbimi në 250 qytete të botës.

6.8% e buxhetit aktual të Bashkisë tha se mjafton për realizimin e projektit, ku përfituesit më të mëdhenj do të jenë studentët.

Advertisement

“Është një praktikë që ndiqet në 250 qytete të botës, ndiqet në Tallin, në kryeqytetin e Estonisë, Maltë, në Luksemburg, në qytete në Greqi, në qytete në Itali, në 40 qytete në Amerikë, në qytete të ndryshme në Kanda, në vende të tjera të Europës, në Francë, në Belgjikë.”

Rivalin e tij në garën për Bashkinë e Tiranës e akuzoi se në 4 muaj ka përfituar 11 mijë Euro dieta nga taksat e qytetarëve me qëndrimet jashtë vendit.

“Kishte marrë 11 mijë Euro dieta nga taksat e qytetarëve të Tiranës, duke faktuar që për katër muaj e gjysëm nuk ka qenë në Tiranë, nuk i ka shërbyer kryeqytetit.”

Këto deklarata Këlliçi i bëri gjatë një takimi që pati me përfaqësues të komunitetit nga Lushnja që jetojnë në Tiranë, mbështetjen për të cilin e ka dhënë në garën e 14 Majit edhe deputeti Sajmir Korreshi, i rreshtuar në grupimin “Alibeaj”.