Kryeministri Berisha e njohu bashkëbiseduesin me reformat dhe arritjet e Shqipërisë, zhvillimin ekonomik dhe transformimet e mëdha që ajo ka pësuar gjatë këtyre viteve. Kryeministri Berisha e ftoi homologun e tij, Mizengo Pinda, për shkëmbime të ndërsjellta mes institucioneve të të dy vendeve, me qëllim sigurimin e një kornize ligjore të plotë për bashkëpunimin dypalësh. Nga ana e tij, kryeministri i Tanzanisë e njohu kryeministrin Berisha me zhvillimet në vendin e tij, si dhe shprehu interes për forcimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimin e eksperiencave. Berisha i kërkoi ndër të tjera homologut të tij që Tanzania të shqyrtojë dosjen e Kosovës si një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Kryeministri Mizengo Pinda u shpreh se Tanzania është gjithmonë në favor të paqes dhe stabilitetit, dhe se do ta shqyrtojë kërkesën brenda një kohe sa më të shkurtër.


