Prifti pranoi publikisht se lidhjet me Metën në tërë këto vite i kanë shkaktuar vetëm trishtim e nga ana tjetër e cilësoi si një kloun që gajas njerëzinë. “Marrëdhëniet 10 vjeçare me Ilir Metën më kanë sjellë shumë herë trishtim në jetën time, por sot më kanë bërë të qesh me gjithë shpirt. Unë qenkam korrier i Edi Ramës! Unë qenkam pucist ndaj Sali Berishes! Unë i paskam bërë ofertë Ilir Metës të bëhet kryeministër në emër të Edi Ramës”. Në këtë pikë, Prifti i konsideroi deklaratat e sipërpërmendura të Metës si “plotësisht qesharake” dhe shtoi: “Jam tallur disa herë kohët e fundit me këtë klloun, që vdes për t’u bërë kryeministër, dhe kam mësuar prej tij kulisat dhe makinacionet që shpreson ta ribëjnë kryeministër me votat e PS”. Prifti tha më tej se Meta ka mbi 2 muaj që komunikon me Edi Ramën duke i ofruar votat atij për të rrëzuar Berishën në Parlament, duke i kërkuar që të jetë vetë kryeministër. Kurse theksoi se “unë kam qene pengesë e planit të tij sepse kam qenë vota nr.71 për Sali Berishën”. Në përfundim të deklaratës së tij, Prifti tha se “Sali Berishën e kam informuar për këto tratativa të Ilir Metës prej kohësh” dhe bëri një ftesë: “Qeshni të gjithë me Ilir Metën, se më qesharak se sot nuk e ka bërë ndonjëherë veten”.


