Nga selia rozë, deputeti socialist deklaroi se qëndrimet e kundërta mes Priftit dhe Metës janë të parëndësishme, por ajo çka është e qartë për të gjithë është paqëndrueshmëria e Ilir Metës. “Ajo që është e qartë si drita e diellit është se koalicioni PD-LSI është koalicion pazaresh, është një koalicion jo vetëm i korruptuar por edhe tërësisht i falimentuar”, nënvizoi deputeti Balla. Zoti Balla theksoi se “ky pazar politik po grabit pasurinë e shqiptarëve dhe po na bën edhe më të vendosur për të kërkuar largimin e qeverisë për t’i shërbyer interesit të qytetarëve dhe transparencës së situatës”. Ndërkohë, deputeti Balla kërkoi që Ilir Meta dhe Sali Berisha të japin llogari përpara shqiptarëve për akuzat e rënda të lëshuara së fundmi nga ish ministri Dritan Prifti. Deputeti Taulant Balla përmendi një nga akuzat më të forta, të ish ministrit Prifti, i cili akuzoi zëvendësdrejtorin e Policisë së Shtetit, Arian Kuliçi, ish bodigard i kryeministrit Sali Berisha, se drejton një rrjet kriminal. Lidhur me këtë akuzë deputeti socialist Balla kërkoi që Prokuroria të nisë hetimet për zbardhjen e saj.


