Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me debate në Kuvend ku opozita kërkoi të zhvillohet debat për çështjen e nënës që u arrestua 8 ditë pasi solli në jetë fëmijën e saj. Elisa Spiropali: do të lirohet sa më shpejt.

Arrestimi i nënës lehonë në Shkodër ka nxitur debat në sallën e parlamentit gjatë seancës së kësaj të enjteje.

Deputetja demokrate Dhurata Çupi tha se nevojitet patjetër të zhvillohet një debat me ministrin e Drejtësisë për këtë çështje.

Advertisement

Por për deputeten Klotilda Bushka dhe ministren Elisa Spiropali po merren masat që gruaja të lirohet sa më parë dhe nuk ka nevojë për debat.

Më pas seanca ka vijuar me interpelancën e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa me ministren e kulturës Elva Margariti lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore në Tiranë e Durrës.

Më herët deputetja Zhupa ka kërkuar edhe që të hënën e ardhshme të zhvillohet seanca plenare për problemet e zgjedhësve e cila nuk u realizua këtë javë.