Dhuna ndaj Petraq Milos nga policët malazezë, Fevziu: Shteti shqiptar të reagojë ashpër!

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu ka reaguar lidhur me dhunimin e profesorit Petraq Milo nga policët malazezë në doganën e Muriqanit.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Fevziu thotë se shtetit shqiptar duhet të reagojë ashpër ndaj këtij rasti dhe të përdorë të gjitha instrumentet ndërkombëtare.

Advertisement

Drejtuesi i “Opinion” thotë se është detyrë kushtetuese e shtetit shqiptar që të mbrojë qytetarët e tij në çdo rrethanë.

“Kjo video që u bë virale dhe që ndezi zemërimin e qytetarëve andej dhe këndej kufirit Shqipëri – Mal i Zi, duhet të vlejë për një reflektim shumë më të thellë. Jo thjeshtë për faktin se qytetari që dhunohet ështe një profesor i nderuar, një ndër njerëzit më korrektë dhe më të edukuar që kam njohur unë ndonjëherë, profesor Petraq Milo; jo për faktin se asnjë polici dhe asnjë person me uniformë në botë nuk mund të sillet kështu me askënd, kushdo qoftë përpara tij; jo për atë që një imazh i tillë është i papranueshëm edhe në vendet diktatoriale dhe ku të drejtat e njeriut thuajse nuk ekzistojnë, por për disa arsye më shumë. E para shkarkimi dhe më pas arrestimi i policëve që kryen aktin, nuk mjafton. As arsyet e mosrespektimit të rradhës që ata kanë dhënë dhe që janë mohuar nga gjithë të pranishmit. Shteti shqiptar duhet të reagojë ashpër dhe të përdorë të gjitha instrumentat ndërkombëtare për një rast të tillë. Duhet t’i kujtojë Malit të Zi se shtetasit e Republikës së Shqipërisë janë kombësia e pestë më e madhe që viziton Malin e Zi; janë ata që frekuentojnë hotelet më në zë në vend dhe derdhin aty miliona euro. Shqiptarët e Shqipërisë janë një kombësi me minoritetin shqiptar të Malit të Zi, që ka qenë garant i Pavarësisë së atij vendi. Shqipëria ka qenë një vend mik që në momente delikate si më 1999 ka qenë e gatshme të përfshihej në operacione të posaçme për të ndihmuar liderët malazezë në rrezik. Por jo vetëm kaq. Shteti shqiptar ka detyrimin të mbrojë shtetasit e tij kudo që të jenë, çfarëdo që ata përfaqësojnë. Pergjegjësia ligjore është personale, por kujdesi i shtetit është detyrim kushtetues. Ne duhet t’jua bëjmë të qartë, çdo vendi dhe në çdo rrethanë, se shtetasit shqiptarë kanë mbrojtje dhe se këtë jua garanton pasaporta që mbajnë”, shkruan gazetari Blendi Fevziu.

Petraq Milo u dhunua nga policët malazezë në doganën e Muriqanit rreth 1 muaj më parë. Pas publikimit të videos, këta policë u shkarkuan dhe u arrestuan nga autoritetet malazeze.