Gjatë takimit, ai i njohu ata me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime lehtësuese dhe të favorshme për biznesin në Shqipëri, në tërheqjen e investimeve të huaja dhe dhënien e garancive për investitorët e huaj. Ndër të tjera, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të potencialeve të Shqipërisë dhe fushave në të cilat mund të investohet si në energji, turizëm, infrastrukturë etj. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Dhomës Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë paraqitën interes të veçantë lidhur me kuadrin rregullator për investimet e huaja direkte në Shqipëri, si dhe mundësitë e investimit dhe partneritetit. Në këtë aspekt, interes dhe vlerësim të madh nga ana e tyre pati për ndryshimet e reja në legjislacionin shqiptar, në lidhje me garantimin e investimeve të huaja në Shqipëri, si edhe për instrumentet e tjera ligjore, të cilat përmirësojnë klimën e biznesit dhe investimeve.