Një fakt të tillë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka theksuar gjatë takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton, në Nju Jork. Kryeministri Thaçi ka shprehur qëndrimin se pas konfirmimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja dhe pas miratimit të Rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh dhe e mbështetë këtë realitet politik, juridik dhe kushtetues, Republika e Kosovës është duke fuqizuar gjithë përkushtimet institucionale shtetërore për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike për integrim në institucionet euro-atlantike. “Unë si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe të gjitha institucionet e vendit, jemi të hapur të bisedojmë edhe me Serbinë për temat në interes të vendeve dhe qytetarëve tanë. Por, ne asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, nuk do të diskutojmë për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin tonë të brendshëm shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës është përmbyllur më 17 shkurt 2008. Ky realitet është konfirmuar edhe me opinionin e GJND-së dhe me Rezolutën e OKB-së”, u shpreh Thaçi. Ndërsa Ashton, e inkurajoi kryeministrin Thaçi për gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për të biseduar me Serbinë për çështjet e bashkëpunimit ndërshtetëror mes dy shteteve. “Kjo qasje e komunikimit është në interes të të gjithëve dhe i hap perspektivë zhvillimore rajonit”, u shpreh Baronesha Ashton.