Deputeti i PS-së, Eduart Shalsi deklaroi për mediat se grupi kuvendor vendosi që në seancën plenare të datës 23 Shtator të diskutojë, edhe pse jashtë rendit të ditës, për mënyrën e rrëzimit të dekretit të presidentit Bamir Topi për ligjin e pronave, një votim i cilësuar si antikushtetues pasi u ripërsërit. “Shprehim të gjithë indinjatën tonë për këtë akt të paprecedentë dhe të pafalshëm. Siç u pa qartë edhe nga të pranishmit, në sallë mazhoranca nuk i kishte numrat e mjaftueshëm për ta miratuar këtë ligj”, deklaroi deputeti Socialist. Ai nënvizoi se votimi në fjalë, i një ligji mjaft të rëndësishëm për shqiptarët, si ai i pronave, është një dhunim i vazhdueshëm i procedurave në Kuvend. Zoti Shalsi e vlerësoi vendimin në fjalë jo vetëm si antikushtetues, por edhe si një ngjarje, që nuk do të kalohet lehtë nga opozita. Lidhur me votimin e dyfishtë të ligjit të pronave të ndryshuar, i risjellë në Kuvend për tu diskutuar pasi shkelte kushtetutshmërinë e pronës, autoritetet e Kuvendit mohuan të ketë patur ndërprerje të votimit të dekretit të Presidentit, në seancën e 16 shtatorit. Zyra e shtypit e Kuvendit, të nesërmen e votimit nxori një njoftim sqarues ku thuhej se procedura është zhvilluar konform rregullores, në mënyrë specifike neneve 56, 57, 58 dhe 61 të saj. Sipas njoftimit u mësua se gjatë procedurës së votimit të dekretit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, me kërkesë, është pezulluar votimi dhe është ribërë ai si pikë e fundit e rendit të ditës. Dekreti i Presidentit, për rishqyrtimin e ligjit për kompensimin dhe kthimin e pronës i ndryshuar, u rrëzua nga mazhoranca me shumicën e nevojshme të kërkuar, dhe vetëm me votimin e dytë mazhoranca mori 71 votat e kërkuara për rrëzimin e dekretit. Votimin e dekretit e abstenoi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, dhe kryetari i Partisë Republikane.